Kujt i ka borxh Dafina Zeqiri 2000 euro?

Nga viti 1994, Saimir Kuçi punon si organizator mbrëmjesh dhe koncertesh në vendet skandinave, por incidenti me Dafina Zeqirin është i pari që i ka ndodhur. I ka paguar paradhënie për të mbajtur dy koncerte në Suedi dhe Danimarkë, por në mbrëmjen e dytë ajo ka shkelur marrëveshjen në mënyrë të dyfishtë; ka munguar në koncert, si dhe nuk i ka kthyer mbrapsht 2000 eurot e paradhënies. Kuçi rrëfen këtë incident me Dafinën, në një intervistë dhënë gazetës “Panorama”. “Mbrëmjen e 29 janarit 2011në Suedi e realizuam, ndërsa mbrëmjen e parashikuar më datë 30 janar 2011 në Kopenhagë e mbajtëm, por pa Dafinën. Ajo na mori paratë dhe nuk erdhi”, thotë Kuçi, duke shtuar se “kishim rënë dakord me Krenar Çoçajn, ish-menaxherin e saj dhe ish-të dashurin”. “Dafina na e prezantoi Krenarin në një bisedë telefonike si të fejuarin dhe menaxherin e saj, me të cilin ramë dakord për koncertet dhe bëmë marrëveshjet përkatëse”, shton Kuçi. Ai tregon saktësisht se cila ishte marrëveshja, duke treguar se pasi ishin marrë vesh që Dafina të këndonte për dy mbrëmje, një në Suedi dhe një në Danimarkë me nga 2.500 euro, ai dhe bashkëpunëtori i tij, ia kanë dhënë paratë menaxherit të saj, “në prezencë të njërës prej motrave të Dafinës”. “Paguam paradhënie 2000 euro, por më pas na doli nga fjala. Atë natë ndodhi një debat mes disa personave dhe menaxherit të Dafinës për disa mosmarrëveshje që kishin pasur më parë në Kosovë. Biseda që nuk kishin të bëjnë aspak me ne dhe organizimet tona. Më vonë, ata që debatuan, i përcolla jashtë dhe e kishim lënë të takoheshim ditën e nesërme, që të shkonim në Kopenhagë për mbrëmjen e dytë. Ishte ndarje shumë miqësore, por të nesërmen Dafina nuk u paraqit sipas marrëveshjes”, kujton Kuçi. Ai thotë se nuk mund ta padis në gjyq, pasi që marrëveshja mes tyre nuk ka qenë bërë me shkrim, por vetëm gojarisht. Ai i kërkon Dafinës edhe njëherë që t’ia kthejë paratë, ose ‘cash’ ose të këndojë në dy mbrëmje gjatë verës./dukagjini.com